Prezantim mbreslënë i grupit folklorik tetovar në Kalabri

Lajme Maqedoni

Nga data 13.08.2023, e, deri më 15.08.2023, grupi muzikor folklorik “Rapsodia e Sharrit” nga Tetova, i përbërë nga: Hajri Ismani, Jetmir Rexhepi, Syrja Etemi, Zemri Arifi dhe Blerim Ismani, ishte mysafir i evenimentit mjaft të rëndësishëm gjithëkombëtar, ku në mënyrë të denjësishme u shpalosën vlerat e folklorit tonë burimor shqiptar nga treva e Sharrit dhe Pollogut. Ishte ky Festivali i këngës arbëreshe, edicioni  41 , i cili u mbajtë tre ditë me radhë – në San Demetrio, Kalabri të Italisë.

Është me rëndësi të potencohet se në këtë festival morrën pjesë, përveç grupeve nga komuniteti arbëresh, edhe grupe e shoqëri të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, si: Ansambli “Shota” nga Prishtina (R. e Kosovës), Grupi muzikor: “Mati” nga Burreli (R.e Shqipërisë), nga Mali i Zi, nga Greqia, e k.m.r.

Grupi muzikor në fjalë, pra “Rapsodia e Sharrit”, në natën e parë të festivalit, pas një parakalimi të realizuar  rrugëve e shesheve të qytetezës ku mbahej fastivali, në skenën impozante – në hapësirat e Liceut Gimnazial, u prezentua me një program të ngjeshur muzikor folklorik në kohëzgjatje prej 15 minutësh; paraqitje kjo që u përshkua me këngët tona tipike dyzërëshe, edhe atë dy këngët e para, pa përcjellje instrumentale, kurse tre të tjerat – me përcjellje instrumentesh tradicionale shqiptare, si: çifteli, sharki dhe def. Përveç që ky grup folklorik u dallua me mënyrën e të kënduarit dyzërësh (me primesa të lehta polifonike), s’do mend që, vëmendje dhe interesim të veçantë pikasi veshja jonë karakteristike, që mban timbrin dhe vulën e  trashëgimisë sonë të lashtë të brezave, edhe atë: openga me ndorta (rugzina), çorapë të leshtë, tirqi, këmishë të pëlhurtë, brez të lahortë, jelekë, lurkë, ferexhe dhe kësulë.

Meqë festivali kishte vetëm karakter revial, ndaj nuk u ndanë çmime, ku do të dalloheshin performansat e artistëve, kështu, nga krejt këto performime, për tri netë rresht, San Dimitrio dhe anekënd Kalabria u “ndez” nga muzika dhe kënga arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *