Rastet me meningjit në Kosovë, infektologu Ramadani tregon për simptomat, rrezikun dhe trajtimin

Lajme Rajoni

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i rasteve të raportuara me meningjit ka shënuar rritje gjatë periudhës korrik-gusht në Kosovë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në lidhje me këtë infektologu Hamdi Ramadani ka treguar si vjen deri te infektimi, simptomat dhe si bëhet shërimi.

Ramadani tha se kjo është një sëmundje infektive e cila paraqitet në sezona të caktuara, kur rriten temperaturat në nivele më të larta, por edhe kur qytetarët i frekuentojnë pishinat.

“Kjo është pritë edhe nga mjekët, nuk është ndonjë befasi. Muajt korrik, gusht deri në shtator janë muajt e sindromës meningjeale…”, tha ai.

Si paraqitet kjo si sëmundje dhe ku është burimi i saj?

Ramadani tha se burimi i infeksioneve është kryesisht

“Këto gjinden në lëngje të të sëmurëve të infektuar, por qëndrojnë shumë edhe në ujë të pishinave, në ujë të ndotur – normalisht nëse ato nuk janë dezinfektuar apo nuk është bërë klorizimi i ujit”.

Cilat janë shenjat e meningjitit?

Infektologu tregoi se shenjat e meningjitit janë të përgjithshme.

“Në rastin e parë shfaqet pas një inkubacioni 12 ose 48 orë, pra një temperaturë e lartë që mund të shkoj deri në 39 e lartë. Të infektuarit kanë dhimbje të kokës, të muskujve, pastaj humbje të oreksit, kjo është faza e parë.

Në orët e mëvonshme paraqitet dhe faza e dytë që ne e quajmë sindroma meningjiale. Dhimbja e kokës është shumë intensive, dallon pak nga gripi. Kemi dhimbje koke që është e intensitetit shumë të madh. Manifestohet në shumë raste, dhe në një përqindje të rasteve edhe me të vjella, sidomos tek fëmijët por edhe të rriturit mund të preken. Karakteristikë e kësaj është që paraqitet dhe një qafë pak më e shtrënguar (muskujt e qafës). Mund të kemi dhe problemin e dritës, apo pengesa në dritë dhe në rastet më ekstreme e më të rënda nëse virusi është shumë patogjenë atëherë edhe alterime në sferën psiqike, në kuptimin e konfuzionit edhe eventualisht konvulsione”, tregoi Ramadani.

Po ashtu, siç u shpreh Ramadani një kontroll e thjeshtë e mjekut e vërteton nëse personi ka simptoma të sëmundjes së meningjitit.

“Regjimi i shtratit për uljen e temperaturës me lëngje, pasi nga temperaturat dhe të vjellat njeriu mund të dehidrohet dhe e dyta është që të jepet terapia…”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, kjo ecuri e sëmundjes mund të kalojë për tri, katër ose pesë ditë.

“Përndryshe meningjiti në rastet më të rralla e ekstreme mund të ketë pasoja që nga konvulsioni, ndryshime psikike, etj. Por, këto janë jashtëzakonisht të rralla”, tregoi infektologu.

Ramadani tha se qytetarët duhet të mbajnë higjienën, duke larë duart, e sidomos fëmijët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *