Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se mbështetin fuqishëm Manifestin për zhvillim e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Nga kjo parti thonë se Manifesti është i hapur për nënshkrim nga të gjitha partitë dhe organizatat, me çka palët obligohen për zhvillim efikas të negociatave për anëtarësim në BE.
Mbështetja e BDI-së vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila për 20 vite mban barrën e integrimeve. Ndaj, BDI-ja beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet apolitike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE.
Manifesti reflekton vlerat e pranuara të përbashkëta evropiane që dalin nga kriteret e Kopenhagës, Procesi i Stabilizim-Asociimit, konkluzionet e miratuara të Këshillit të BE-së dhe propozim Korniza negociatore nga presidenca franceze, të gjitha këto me qëllim të përfundimit sa më cilësor të procesit të negociatave dhe hyrjes më të shpejtë në BE.