“Nisma për Partinë Demokratike Evropiane merr kuptimin e plotë kur bashkmendimtarët nga Tetova bëhen pjesë e këtij rrugëtimi. Na priftë e mbara!”
Me këtë shkrim e me këtë fotografi, Arjanit Hoxha, ish nënkryetar i Lëvizjes Besa bëri të ditur se ka nisur procedurën për formimin e partisë së paralajmëruar, të cilën e ka quajtur Partia Demokratike Evropiane.
“Jemi në fazë të themelimit dhe gjithë fokusi jonë është në rrumbullakosjen e këtij procesi. Faza tjetër është fokusi për të kontribuar në ndryshimet kushtetuese dhe varësisht nga epilogu i ndryshimeve kushtetuese do të shpalosim edhe konceptin tonë se si e shohim të ardhmen politike”, tha Arjanit Hoxha, Partia Demokratike Evropiane.
Nga ana tjetër, Izet Mexhiti nga Lidhja Demokratike, që doli si fraksion i BDI-së, po bën përgatitjet e fundit dhe për pesë ditë do ta zyrtarizojë subjektin e tij politik. Pasi e emëroi partinë ai ka zgjedhur edhe lokacionin. Partia e Mexhitit do të vendoset me seli te QT Mavrovasja.