Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga Serbia në masakrën e Rahovecit

Bota Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit. Sipas tij, në këtë ngjarje u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.

“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

“Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, ka thënë ai.

Sipas tij, për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit”, ka thënë më tej Kurti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *