Mbështetje e qartë dhe e fuqishme e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e negociatave me BE-në dhe integrimin e përshpejtuar evropian, është shprehur në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me përfaqësuesit e lartë të Treshes së Vajmarit.
Në takim, siç njoftoi shërbimi qeveritar, u vlerësua se vendi ynë aktualisht po përballet me një mundësi unike për të hedhur hapin kyç në integrimin evropian dhe për të siguruar perspektivën evropiane, me mundësinë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Kjo, siç u tha në takim, do të kontribuojë në zbatimin e detyrueshëm dhe të përshpejtuar të standardeve evropiane në të gjitha fushat me rëndësi për qytetarët, si përmirësimi i standardeve të jetesës dhe sundimi i ligjit.
Gjithashtu, bashkërisht u theksua se zgjerimi i Unionit, veçanërisht në kontekstin aktual, nuk është vetëm një procedurë teknike, por prioritet gjeopolitik i BE-së.
Prandaj, siç thuhet në komunikatë, pa mëdyshje ka pritshmëri që të gjitha subjektet politike në vend të konfirmojnë orientimin evropian, duke i dhënë mbështetje në Kuvend vendimeve të ardhshme, të cilat, siç u theksua, janë pjesë e kornizës së negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kovaçevski i falënderoi përfaqësuesit e Treshes së Vajmarit për mbështetjen e madhe në procesin e integrimeve evropiane që kanë qytetarët e Maqedonisë dhe inkurajimin e fuqishëm për të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend që të vazhdojnë punën konstruktive në ndërtimin e një konsensusi ndërpartiak për hapin e ardhshëm në procesin e negociatave.