Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në Kuvendin e Kosovës ku u sulmua kryeministri Albin Kurti.
Rama e quajti njollë ndaj vetes sulmin ndaj Kurtit dhe kundërshtinë ndaj tij, nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa e cilësoi turp këtë që i bënë Kosovës edhe ndërkombëtarisht.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
Sipas kryeministrit në Parlament duhet të luftohet me ide dhe fjalë dhe jo duke përdorur dhunën. Ai tha se uron që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme.
“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, tha Rama.