Përleshje me grushte në Kuvendin e Kosovës, reagon PDK: Bislimi provokoi opozitën

Bota Lajme

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjeve në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të saj janë përplasur me ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti.

Sipas PDK-së, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi provokoi opozitën duke hequr fotografinë e vendosur nga ata në foltoren e Kuvendit.

Në komunikatën për media të PDK-së, thuhet po ashtu se ishte Bislimi që hodhi me shishe deputetin opozitar, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe vet Bislimit.

Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politikë shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojiçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore. Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, “në një moment kur kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës”.

Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve. Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Milan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti”, thuhet në reagim.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin e Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të qeverisë. Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”. Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *