Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përleshjes së sotme në Kuvendin e Kosovës. Ky subjekt politik ka vlerësuar se pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës.
“Pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK është shprehur se instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot.
“Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, thuhet në njoftim.
LDK thotë se do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetërore në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashtë saj.