Avokatit Besnik Berisha i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Avokati i tij, Naim Rudari e ka konfirmuar për RTKlive se klienti i tij është ndaluar për 48 orë.
Pasi u ndalua për 48-orë, avokati Besnik Berisha shtrohet për trajtim në Kardiologji, ka bërë të ditur avokati i tij për RTKLIve
Avokati Berisha bashkë me tre persona të tjerë është arrestuar të enjten në një aksion që është realizuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Prokuroria Themelore ka njoftuar se katër persona janë arrestuar, në mesin e tyre edhe avokati Besnik Berisha, në një aksion i cili është realizuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Përmes një komunikate për media, janë kontrolluar e pastaj edhe sekuestruar përkohësisht shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave të dyshuar, ku katër prej tyre janë arrestuar për veprat “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Ushtrim i ndikimit”.
Të arrestuarit janë me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç ‘rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C.”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.