Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Vjenë të Austrisë, në selinë e OSBE-së. Në kuadër të vizitës, Osmani do të mbajë fjalim në Konferencën e parë për Ndryshimet Klimatike të organizuar nga OSBE-ja. Kryesuesi do të jetë gjithashtu pjesë e panelit të titulluar “Tejkalimi i veprimit nacional dhe global – Bashkëpunimi rajonal për ballafaqimin me ndryshimet klimatike”.
Osmani në Vjenë do të zhvillojë disa takime bilaterale, si me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksander Shallenberg, me Përfaqësuesin Special Amerikan për Klimën dhe ish Sekretarin Amerikan të Shtetit, Xhon Keri dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak.