Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski premtoi “përgjigje konkrete” ndaj sulmit me raketa ruse në një bllok banimi në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, në të cilin, sipas të dhënave të përditësuara që i publikoli ministri ukrainas i Punëve të Brendshme Ihor Klimenko, humbën jetën katër persona, transmetojnë mediat franceze.
“Këto janë pasojat nga sulmi i mesnatës i terroristëve rusë”, tha Zelenski në një postim në kanalin Telegram, i cili u shoqërua me një video në të cilën shihet ndërtesa e shkatërruar. “Fatkeqësisht ka të vdekur dhe të lënduar. Përfundimisht do të ketë përgjigje ndaj aksioneve të armikut. Edhe atë konkrete”.
Mediat amerikane e citojnë ministrin Klimenko në deklaratën se numri i të vdekurve, i cili më parë u raportua se janë tre, tani është rritur në të paktën katër, ndërsa nëntë persona janë lënduar.
Kryetari i Lvivit, Andrij Sadovij, deklaroi se janë shkaktuar dëme materiale në rreth 60 shtëpi dhe 50 makina.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë rrënojat e ndërtesës për të gjetur më shumë njerëz që mund të jenë të ngujuar nën të.
Sadovij përmes një video-mesazhi, tha se ky ishte sulmi më i madh ndaj infrastrukturës civile në Lviv që nga fillimi i invadimit të Rusisë në Ukrainë, nha 24 shkurti i vitit të kaluar.