Ekspertët e sigurisë: Deponimi i armëve nëpër kisha, praktikë e vjetër

Bota Lajme

Ekspertët e sigurisë kërkojnë nga institucionet e Kosovës që ta trajtojnë me kujdes armatimin e serbëve në veri, derisa e konsiderojnë të vërtetë deklarimin e deputetes britanike, Alicia Kearns dhe kryeministrit, Albin Kurti se serbët nëpërmjet autoambulancave po i deponojnë armët nëpër kisha. Megjithatë ekspertët iu bëjnë thirrje autoriteteve që ta trajtojnë me kujdes çështjen e objekteve të kultit.

Pas alarmit të ngritur në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, nga deputetja britanike, Alicia Kearns, se Serbia po kotrabandon armë me autoambulanca dhe po i deponon në kisha ortodokse, ka reaguar kryeministri Albin Kurti. Pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha se ky rast do të trajtohet me shumë seriozitet.

“Unë sot do të kem takim me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë. Do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia dhe pas këtyre takimeve edhe me organet tona të sigurisë që të mund të japim fjalën përfundimtare. Jemi duke grumbulluar të dhëna, por nuk është mirë të japim informacion për informacionin e paplotësuar. Por, brenda javës duhet të dihet kjo çështje”, tha ai.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Radio Kosovën se pretendimet e deputetes britanike, janë të sakta. Sipas tij, prania e armëve në kisha paraqet rrezik, por, autoritetet kosovare duhet të trajtojnë rastin me kujdes.

“Mund të kemi ndërhyrje të Policisë së Kosovës në objektet e kultit, por në rast se nuk do të gjenden armë në ato pjesë, atëherë kjo do të jetë një goditje negative për Kosovën për veprimet operacionale. Pra, duhet të jemi vigjilentë e të kujdesshëm në ndërmarrjen e veprimeve konkrete operacionale për të garantuar rend e ligj dhe për të lokalizuar armët që mund të jenë në kisha”, tha ai.

Eksperti tjetër i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se deponimi i armëve nga Serbia në kishat ortodokse nuk është praktikë e re dhe bëhet qëllimshëm. Sipas tij, e gjithë kjo bëhet nga Serbia me qëllim të përmbushjes së ëndrrës serbe për një pushtim të sërishëm të Kosovës. Megjithëkëtë, edhe Kajtazi thotë se hyrja në kishat serbe duhet të bëhet me kujdes.

“Për të ndërmarrë ndonjë aksion, institucionet e sigurisë të paktën duhet të kenë të ditur se kush janë personat protagonistë të këtyre aktiviteteve me armë. Mirëpo, them se nuk do të ishte e hijshme për strukturat tona shtetërore që të ndërhyjnë pa i siguruar provat e mjaftueshme. Nëse bëhet ndërhyrja, e pakta që duhet të bëhet është sigurimi i provave për të proceduar një kallëzim penal”, tha ai.

Për pretendimet për deponimin e armëve serbe në Kisha Ortodokse, ka reaguar edhe KFOR-i. Në një përgjigje të këtij misioni thuhet se “Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *