Shtëpitë e vjetra prej guri, primesat e një ndërtimtarie me vlera që nuk i rzistoi kohës, relikte qe do na i kujtojnë vetëm fotografitë (Foto)

Lajme Maqedoni

Edhe pse shtëpitë e vjetra të fshatit sot rezultojnë të braktisura dhe të pabanueshme, ato që i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme, (fundi i sh.XX), ruajnë karakteristikat arqitekturale të kohës kur janë ndërtuar, e, që na sjellin primesat e një ndërtimtarie, sa modeste, aq edhe interesante.

Shkruan: Syrja Etemi

Në arqitekturën e ndërtimeve rurale dhe urbane, një vend të rëndësishëm zë banesa apo shtëpia, për vetë përhapjen e gjerë dhe vlerën e realizimeve arqitektonike në të gjitha trevat e Ballkanit të banuar nga shqiptarët, e në veçanti – të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht – të zonës së Pollogut të Poshtëm.

Banesa apo shtëpia pati lulëzimin e saj gjatë shek. 18-19, ku ajo dallohet për një tipilogji të pasur dhe të kristalizuar, si dhe për arritje me vlera të mëdha si në fshat dhe në qytet. Ritmi i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik gjatë periudhave të ndryshme kohore, determinon edhe lindjen e marrëdhenieve dhe raporteve të ngjeshura e të pashkëputura në relacionin: fshat – qytet dhe anasjelltas, fakt ky që u pasqyrua edhe në pasurinë e madhe të vlerave arqitektonike të banesës. Është fakt apodiktiv se, banesa qytetare dallohet substancialisht në tipollogji nga banesa fshatare, sepse, banesa qytetare në shumicën e rasteve është banesë njëfamiliare, dhe, rrallë hasim banesa për dy vëllezër bashkë, gjë që nuk vlen kjo për banesën nga fshati, me ç’rast ka qenë e predispozuar dhe destinuar për më shumë vëllezër dhe, që është zhvilluar, jo sipas ndonjë simetrie apo aparence të caktuar .

Të shohim si ka qenë gjendja e arqitekturës apo stilit të ndërtimit të objekteve të jetesës në fshatin Sllatinë të Tetovës.

Edhe pse shtëpitë e vjetra të fshatit sot rezultojnë të braktisura dhe të pabanueshme, ato që i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme, (fundi i sh.XX), ruajnë karakteristikat arqitekturale të kohës kur janë ndërtuar, e, që na sjellin primesat e një ndërtimtarie, sa modeste, aq edhe interesante. Objektet janë ndërtuar duke u bazuar në ndikimet dhe kushtet klimatike, gjeologjike e gjeomorfologjike, materiale e kështu me radhë. Shtëpitë e para për banorët e këtij fshati (sh.XIX dhe XX), së pari kanë qenë mashnët, kolibet, shtëpitë në “t’ hunxhët”, më vonë shtëpitë “dollma” e ato “medrese “. Ato ndërtoheshin me material të dobët: gur, baltë dhe dru, apo thjesht- materiale nga resurset lokale.

Guri – Si material kryesor për ndërtimin e shtëpive të fshatit, është përdorë “gjur reke”, guri i nxjerrë nga qilizma (gjur qirizme), “gjur kalaje” dhe “gjur biguëri”. Ky i fundit përdorej edhe për ndreqjen e qosheve të shtëpisë, dollapet dhe dyert, madje oxhaqet, etj.
Druri – Përveç gurit, si material i domosdoshëm ndërtimi është edhe druri. Më shpesh është përdorë druri i gështenjës, madje dushku, ahu, plepi, etj. Këto janë siguruar nga mali i dendur i Sharrit, madje edhe nga pyjet e livadheve dhe bahçeve.

Balta – Balta që përdorej për murosje, por edhe për lyerje të dhomave, është bërë ose përgaditur nga dheu i butë i bafçeve ku ndërtohej shtëpia. Mjeshtrit (majstuart) që kanë bërë baltën janë quajtur baltaxhi. Ata njëherë mihnin dheun aty afër objektit që do të ngritet, madje lëshonin ujë në dheun e mihur, kurse dy-tre baltaxhinj hynin në baltë me këmbë të përveshura deri mbi gjunj, dhe e “vritnin” mirë atë.

Qeremidet. Shtëpitë kanë qenë të mbuluara me qeremide të zeza alla turka, e shumë rrallë me “të kuqe” ose “qeramide frengi”. Qeremidet dhe plitat janë siguruar nga përgatitësit lokalë.
SHTËPITË “DOLLMA”

Kësi tipesh të shtëpive,banorët lokalë kanë filluar të ndërtojnë aty kah fillimi i shekullit të kaluar, e,që,zakonisht kanë qenë dykatëshe, me dimensione 8 me 9, por ka patur edhe njëkatëshe, po me ato përmasa dimensionale. Kati përdhes i shtëpisë dollma ka patur ahurin, izben, hajatin dhe shkallët për t’u ngjitur në kat (çardak).

Ahuri- Ahuri ka përfshirë gjysmën e prapme të shtëpisë. Aty është ruajtur bagëtia e trashë dhe e imët, që kanë qenë të ndarë me gardh. Kjo nuk ka qenë karakteristikë te të gjitha familjet.Nëse shtëpia ka qenë pronë e ndonjë familjeje të pasur, kanë ndërtuar ahur jashta shtëpisë.

Hajati (Jahati)- Në katin përdhes, në gjysmën e përparme të shtëpisë, ka qenë hajati, ku në të, gjatë dimrit, bujku ka mbajtur veglat e veta të punës, madje aty janë shkurtuar edhe dru, është përgatitur tagjia dhe zahireja e kafshëve, e k.m.r.

Izbeja- Në përdhes, përveç hajatit kishte edhe hapësira ndihmëse, si qilar apo izbe, në të cilën ruheshin gjërat ushqimore të përgatitura për dimër, turshitë, bylmeti, por dhe shumë enë të ndryshme. Për izben është kujdesur vetëm zonja e shtëpisë, e cila mbante çelësin e saj.
Shkallët- Shkallët si element për komunikim, zakonisht janë vendosur brenda shtëpisë, por ka pasur raste që të piketohen edhe jashta. Ato ndërlidhnin hapësirat e përdheses me çardakun (katin). Shkallët kanë qenë prej dërrasash të ngallmuara për dy shtylla të vendosura pjerrtas nga toka deri në çardak. Të pasurit kanë ndërtuar shkallë sëndejkli.

Hambari- Hambari ishte pjesë integrale e shtëpisë, dhe shërbente për ruajtjen e drithit, që zakon-isht vendosej në çardak, e, që njëkohësisht, shërbente edhe si element dekorativ të vet çardakut. Në stinën e verës shërbente edhe për të ndenjur e për prozhmim, bile edhe për të fjetur mbi të.

Çardaku- Thamë se shkallët shërbenin për të ndërlidhur përdhesen me katin e parë. Në krye të shkallëve fillonte çardaku, i cili ka qenë në pjesën e përparme të shtëpisë ose mbi hajatin. Në njërën anë të çardakut kanë qenë hambarët e drithit. Çardaku nuk ka patur tavan. Në trarët e çardakut, në vjeshtë janë varur lëvarët e misrit për t’u tharë. Çardaku prej katit është mbajtur me konstruksion të lehtë të sistemit skeletor. Ato janë trarët e shtruar me dërrasa kurse prej katit përdhesë është mbajtur në dy direkë, zakonisht nga druri i gështenjës, vidhit apo dushkut.

Zakonisht kati përdhes prej katit të parë ka qenë i ndarë me deme (si te çardaku), kurse mbi deme janë shtruar pllatica (Dru të gdhendur si dërrasa pak më të trasha) , mbi të cilat është shtruar baltë e përzier me byk.Kati i shtëpisë në pjesën e prapme mbi ahurin ka patur sobën dhe shtëpinë e zjarrit (shpejzarmi), kurse mbi izbë – një dhomë të vogël për fjetje.

Soba – Soba është shfrytëzuar për qëndrim ditor, por edhe për ndenja pas darke ku janë bërë muhabete, këngë dhe janë luajtur lojra të ndryshme popullore. Kjo është quajtur edhe si sobë (oda) e miçve, ku janë pritur mysafirët.Një pjesë e kësaj sobe, afër tre çerek ka qenë e shtruar me kashtë thekri, shushlak ose me hasër dhe, mbi të ka qenë e shtruar cerga ose qylymi. Më të pasurit kanë shtruar edhe mutaf të vejtur prej leshit të dhive. Rreth murit, në pjesën e shtruar të sobës ka pasur jastëkë, të cilët kanë qenë kallëpe, faqet e të cilëve kanë qenë të stolisur me ornamente të ndryshme tradicionale.

Gjatë dimrit dhoma apo soba ose oda është ngrohur me koftor (qimet), por shpeshherë në mes të dhomës është vënë tagari i mbushur me prush, ku zoti i shtëpisë i bënte hyzmet ose kujdesej për të duke e shprushë me mashën e metaltë.
Përveç kësaj që thamë, një pjesë e dhomës ose pjesa e pashtruar e saj, zakonisht e ndarë me një dërrasë, ka shërbyer për t’i zbathur opingat ose batat, kurse rreth murit mbi policë ( Dërrasë e vënë mbi këmbë drurësh, plitharësh ose gurësh)- janë mbajtur shtambat e ujit, ibrikët vorbat etj.

Në njërën anë të sobës ka qenë dyshekllëku, ku janë mbajtur teshat e shtratit, dyshekët e leshtë, jastëkët, çarçafët, jorganat etj. Mbi dyshekllëk, dimrit janë mbajtur kunguj të bardhë, kauna dimri, ftonj, molla, dardha etj. Në anën e dyshekllëkut është edhe hamamxhiku, për të cilin do të bëjmë fjalë veçmas. Soba ka pasur edhe tavan, zakonisht me dërrasa shpesh edhe të latuara e të zbukuruara por edhe me llaç ose me baltë të lyer me gëlqere. Në dy anët e murit të sobës ka pasur rafte dhe në skaje – qosheraft (hajmali), që kanë shërbyer për t’i mbajtur filxhanat e kafesë, gotat e ujit, llambën e vajgurit ose gacit dhe imtësira tjera.

Hamamxhiku – Element mjaft i rëndësishëm i objektit është edhe hamamxhiku – vend ku është mbajtur higjiena trupore. Ky ka qenë i ndërtuar zakonisht pranë dyshekllëkut dhe mureve – i zënë vetëm me një derë prej dërrase. Shpesh hamamxhiku ka qenë i ndërtuar apo i vendosur në anën e mbrapme të objektit.

Shtëpia e zjarrit (Shpejzarmi) – Gjysma tjetër e pjesës së prapme të shtëpisë, në kat, mbi ahur ka qenë shtëpia e zjarrit. Kjo ka qenë pa tavan, prandaj tymi ka qarkulluar në tra dhe ka dalë nëpër baxhën e ndërtuar në kulmin e shtëpisë. Në njërin krah të murit ka qenë vatra, fura e zjarrit. Vatra ka qenë e rrethuar me plita të lyer me baltë dhe pak e ngritur që të mos derdhet prushi. Në mes është i varur zinxhiri me grep për të varur kusinë ose kazanin. Më në skaj ka qenë maxhja ku është mbajtur mielli dhe tërplotja me të cilën është futur dhe nxjerrë mielli. Bri magjes, rreth murit, ka pasur policë ku janë mbajtur enët e ujit, shtambat, vorbat, qypat etj. Policë ka pasur edhe në mur të mbështetur në kujna e ku janë radhitur enët e botës (botit), çanakët, tavat, kupa e gjizës, shkopi i petës (ukllagia), jamoçja, bakraçja, vorbat, kapaku i groshës etj. Në mur ka pasur edhe kujna të tjerë ku janë varur gjëra të ndryshme, si sofra, lugarja, palareja, kusia e zjarrit, mandej çerepi, saxhaku, saçi, masha, kacia e zjarrit, mutini, e kështu me radhë. Është me rëndësi të theksohet edhe mënyra e pastrimit apo larjes së këtyre enëve në shpizarmi. Enët e palara janë larë në avdesllëk që ka qenë një e çarë në murë, e shtruar me një rasë guri pak në formë lugu, nëpërmjet të cilit ka rrjedhë uji i ndotur. Aty ka ndenjur lasa, një copë stofi ose shajaku që ka shërbyer për t’i fërkuar enët e palara.

Dhoma e vogël (Uëd’ e vuëgël) – Krahas çardakut, mbi izbë ka pasur një dhomë të vogël. Aty është mbajtur arka ose çekmexhja e nuses, e cila rrinte në atë dhomë, ku ruheshin teshat e mira të saja dhe të burrit. Mbi çekmexhe,gjatë ditës paloheshin petkat e shtratit, të cilat ishin mbuluar me një çarçaf të vejtur nga nusja e re që e sillte si pajë ose çejz te burri.
SHTËPITË “MEDRESE”

Ky tip i shtëpive ka filluar të ndërtohet kah vitet 60-të shek. të kaluar që karakterizohet me veçimin apo ndarjen e shtëpisë nga ahuri.Për kafshët ndërtohet ahuri në përbërje të mashnës. Shtëpia e këtij tipi është me dimensione 12 me 5 m dhe një qyshk me dimensione afër 3 X 3 m. Shtëpia ka dy dhoma 4 X 4 m në katin përdhes dhe po aq në katin e parë, kurse ndërmjet tyre ka një mesore si korridor ku janë edhe shkallët. Qyshku është një lloj çardaku i shtruar me dërrasa dhe i rrethuar me parmakë, i ndërtuar para mesores së shtëpisë.Muret e shtëpisë janë ndërtuar me gurë dhe baltë. Mbi katin përdhes muret janë të ndërtuar edhe me plita , kurse dhomat brenda mureve të jashtme të shtëpisë janë ndarë me jullumkat. (Shih foton e mëposhtme).

Si përfundim nga krejt kjo paraqitje, jam i detyruar të plotësoj një fakt të padiskutueshëm se, në këtë rast nuk janë shpërfaqur të gjitha të dhënat që karakterizojnë arqitekturën rurale të vendbanimit në fjalë. Jam i vetëdijshëm se ka akoma shumë e shumë detale suplementare për të paraqitur në këtë kontekst. Por, këto primesa, të shpresojmë se do t’i paraqesim në ndonjë përqasje tjetër të radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *