EKSODI DHE EPIDEMIA E INDIFERENCËS

Lajme Opinione

Migrime ka pasur dhe do të ketë përderisa njerëzit ëndërrojnë për një jetë më të mirë në vendet që sigurojnë mirëqenie dhe krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë. Eksodi është diçka tjetër. Ai është më shumë se migrim. Eksodi nuk ndodh vetëm për shkaqe ekonomike. Eksodi ndodh kur qytetarët e vlerësojnë se vendi shkon në drejtim të gabuar, kur më nuk shpresojnë për ndonjë përmirësim. Eksodi nuk ndalet me fjalime, parulla dhe klishe “për të ardhmen e ndritur”. Ai mund të ndalet vetëm nëse vendi i origjinës ofron mundësi përafërsisht të njëjta me vendin pritës. Eksodi ndalet me hapjen e vendeve të reja të punës, kur qytetari ka pagë dinjitoze, kur ndjen se jeton në shtetin ku respektohen vlerat themelore të demokracisë. Kur s’ka stabilitet ekonomik dhe politik ka eksod.
Raporti i OECS-së ofroi shifra alarmuese. Në periudhën 2011 – 2019 janë larguar nga vendi rreth 700 mijë qytetarë. Parashikohet që ky numër të rritet më shumë në të ardhmen. Vendi shkon drejt plakjes. Në çdo sferë ka ngecje. Ka filluar të ndjehet mungesa e fuqisë punëtore. Është shqetësues “eksodi i trurit”.

Sipas burimit të mësipërm, shkaqet e eksodit janë: kriza ekonomike, korrupsioni i lartë, paqëndrueshmëria politike, dëshira e qytetarëve për mirëqenie më të mirë, mungesa e ekuilibrit ndërmjet pagës dhe standardit jetësor, problemet në të gjitha sferat e jetës, mungesa e perspektivës për fëmijët…
Këtu me vite flitet për “reforma”. Secili vjen në pushtet që të bëjë “reforma”, që pastaj “reformohen” nga pasardhësit.
Njerëzit do të largohen nga vendi derisa institucionet publike janë të politizuara. Derisa sistemi gjyqësor është “i aftë” vetëm për “t’i vjetruar” lëndët gjyqësore të njerëzve me fuqi ekonomike dhe politike.

Ambasadori holandez Dirk Jan Kopp tha se shteti i tij e pezulloi projektin e madh me Këshillin Gjyqësor, sepse institucioni ishte kthyer “në organ jolegjitim”. Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor, pasi “e ndoqën me vëmendje deklaratën e ambasadorit”, refuzuan ta komentojnë, sepse nuk kishin çfarë të komentonin.
Deklarata e ambasadorit ishte alarm shtesë që duhet të na kthjellojë se çfarë “sistemi drejtësie” kemi në Maqedoninë e Veriut. Këtu kemi gjykata që i lirojnë fajtorët dhe i dënojnë të pafajshmit. Shteti pa drejtësi bëhet i padurueshëm.

Njerëzit do të largohen nga vendi edhe për shkak të oktapodit të korrupsionit që shtrihet kudo. Këtë e thekson edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, i përgatitur nga Transparency International. Komisioni kundër korrupsionit ka bërë të ditur se i shqyrton lëndët për korrupsion, por, siç thuhet, në shtet ka lidhje që nuk i lejojnë institucionet të funksionojnë siç duhet…

Kjo nuk është kohë për optimizëm. Optimistë janë vetëm ata që kanë gjithçka pa bërë asgjë. Optimistët nuk merakosen se çfarë ndodh jashtë kabineteve të tyre.

Përkundër gjendjes ekzistuese, sërish ka indiferencë civile. Simptomat e epidemisë së indiferencës janë moskokëçarja dhe heshtja për gjithçka që ndodh në shoqëri. Ka moskokëçarje dhe heshtje për cenimin e vlerave, kritereve, parimeve; për akulturimin e heshtur dhe krizën morale; për oktapodin e korrupsionit të shtrirë kudo; për drejtësinë e munguar dhe lirinë arbitrare; për standardin e rënduar jetësor; për marrëzitë e “misionarëve” që na kthejnë pas në kohë, gjithsesi edhe për eksodin me përmasa marramendëse, i cili është bërë fenomen trishtues. Mbase njerëzit e kanëhumbur shpresën për ndryshime që sjellin cilësi në jetën shoqërore dhe besojnë se u del më mirë të kërkojnë zgjidhje personale sesa të humbin kohë duke tentuar ta ndryshojnë të gjithë sistemin.

Aty ku fati i njerëzve varet nga politika, e cila e ngulfat autonominë e institucioneve publike, meket edhe zëri i protestës. Në një shoqëri të këtillë mund të ndodh ndryshimi vetëm kur njerëzit binden se bota nuk ndryshon vetë, se duhet të kërkohet përgjegjësi nga ata që i kemi zgjedhur.

“Greku i Lashtë nuk priste ndonjë shpëtim jashtë vetes së tij, nuk priste ndonjë jetë më të mirë përtej asaj që jetonte në Tokë, përtej asaj që shikonte në Tokë”, thotë Kasëm Trebeshina në librin Nata e Apokalipsit.
Shoqëria nuk ndryshon nëse nuk përballemi me të vërtetën e pakëndshme. Ndryshimet varen nga aftësia jonë për ta ndryshuar gjendjen e ngrirë. Kjo gjendje mund të ndryshohet vetëm kur do ta mposhtim epideminë e indiferencës civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *