Marshimi i FSK-së në Mitrovicë, Mehaj: Ushtrimi ishte i rregullt

Bota Lajme

215 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar sot një marshim në jug të Mitrovicës.

Marshimi në Mitrovicë ka filluar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe është bërë kthimi sërish në kazermë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka sqaruar se ky marshim nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Mehaj po ashtu ka thënë se marshime të tilla janë të rregullta dhe se ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor.

Ai ka bërë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’u jepet konotacion tjetër.

“Marshime të tilla janë të rregullta, ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot, prandaj bëjmë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jipet konotacion tjetër. Marshimi nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka theksuar se përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve e ka Policia e Kosovës, teksa ka bërë thirrje që të mos u besohet dezinformatave dhe lajmeve të rreme.

“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj. Ju lutem mos të iu besoni dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, ka thënë Mehaj.Edhe FSK ka njoftuar për këtë marshim duke thënë se është mbajtur në kuadër të aktiviteteve të planifikuara kondicionale dhe taktike.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të planifikuara ka marshimet kondicionale dhe taktike. Në vazhdën e kësaj, Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) ka realizuar marshimin kondicional për të cilin kanë qenë të njoftuar Komandanti i Batalionit të KFOR-it, dhe stafi i tij të vendosur në bazën e KFOR-it në Maxhunaj”, ka njoftuar FSK.

Bëhet e ditur se në kuadër të planit mujor të trajnimeve për muajin qershor 2023, me datë 23.06.2023, R3K, ka realizuar marshimin 12 kilometra në zonën e përgjegjësisë, zona e Mitrovicës.

“Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 0900L nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. R3K në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K”, u tha në njoftim.

Gjithashtu u tha se marshimet janë aktivitete të zakonshme të njësive të FSK-së, dhe realizohen disa herë përgjatë vitit kalendarik në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *