Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për takim urgjent në Bruksel, por ka thënë se nuk do të bisedojë me kryeministrin, Albin Kurti.
“Nuk do të bisedoj me Albin Kurtin në Bruksel. Biseda me të nuk ka kurrfarë kuptimi. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Demaçin, pak për Marksin dhe kaq. Gjithçka tjetër ka të bëjë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike”, tha Vuçiq për RTS.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell nëpërmjet një postimi në “Twitter” ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që të gjenden një rrugëdalje për situatën e tensionuar në veri të vendit.