Osmani: Do të punojmë deri në fund që të arrijmë konsenzus me opozitën, për Kushtetutën

Lajme Maqedoni

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot bëri thirrje për debate publike, propozime dhe sugjerime rreth ndryshimeve kushtetuese, duke potencuar se tani procesi është në fazë të dytë, kur mund të jepen ide dhe propozime, pasi Komisioni është paramenduar të jenë trup inkluziv, ku mund të përfshihen të gjithë.

“Për mua është shumë me rëndësi njerëzit ta shohin këtë proces. Si mundësi të inkuadrohen edhe ata me qëndrimet e tyre. Megjithatë, kuptohet duhet të jetë në kuadër të asaj që u konfirmua në kornizën negocuese dhe në protokoll të nënshkruar me Republikën e Bullgarisë. Dhe të merret parasysh, nëse ato propozime do ta rrisin konsenzusin, ose do ta ulin. Nëse e ulin, me siguri atëherë nuk do t’i ndihmojnë procesit”, deklaroi Osmani, në pyetjen e gazetarëve nëse dhe çfarë mundësie ekziston për plotësimin e amandamenteve tashmë të propozuara kushtetuese.

Sipas Osmanit, pikërisht tani është koha të bisedohet dhe të fillohet debat publik “për” apo “kundër” ndryshimeve të propozuara kushtetuese.

Në pyetjen nëse ka gjasa që sërish të ulet me opozitën që të bisedojë rreth ndryshimeve të Kushtetutës, Osmani tha se mospranimi i i këtyre ndryshimeve nga ana e opozitës nuk është korrekt ndaj qytetarëve dhe tashmë është politizim dhe tentim i opozitës që të fitohet ndonjë pikë politike më tepër. Kjo, sipas tij, është qasje joserioze, ndaj një çështjeje aq serioze.

“Dhe për këtë shkak duhet të kërkojmë edhe mënyra alternative. Do të punojmë deri në ditën e fundit që të arrijmë konsenzus me opozitën. Deri në sekondën e fundit. Nuk do të lëshojmë asnjë ditë ditë që të bisedojmë edhe me deputetët, pasi qartë se nëse keni biseduar me ta, do të shihni se shumica janë të vetëdijshëm për barën që e kanë, të jenë frenues të ardhmërisë evropiane. Te jenë ata që e izolojnë vendin dhe i detyrojnë njerëzit të dalin jashtë”, tha Osmani.

I pyetur rreth idesë së Ministrisë së Drejtësisë për vendosjen e përkatësisë kombëtare në librat amë, Osmani tha se vlerëson se kjo bëhet me qëllim që të shmangen keqpërdorimet, para së gjithash gjatë punësimeve, pasi qytetarë deklarohen me përkatësi të ndryshme etnike, posaçërisht si pjesëtarë të komuniteteve më të vogla etnike, që të hyjnë në kuotat e bashkësive minorene.

“Nuk mendoj se ka qëllim të keq pas këtij propozimi, por është me qëllim mbrojtja e bashkësive më të vogla nga ky keqpërdorim”, shtoi Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *