NË EMËR TË INTEGRIMEVE…

Lajme Opinione

Salajdin SALIHU

NË EMËR TË INTEGRIMEVE…

Elitave politike në rajon nuk u është bërë vonë për integrimin e vendeve të tyre në Bashkimin Europian. Politikanët ligjërojnë për “integrimet europiane” që t’i ruajnë privilegjet e tyre. Praktikisht ata vepruan dhe veprojnë në kundërshtim me vlerat dhe parimet e BE-së.

Politikanët e korruptuar, që janë “më të barabartë se të barabartët”, siç thotë Oruelli, as nuk i kanë dashur dhe as nuk i duan integrimet europiane. Madje i pengojnë, sepse duan shtete pa kontroll. Ose duan shtete që i kontrollojnë ata dhe ku mund të bëjnë gjithçka, pa i dhënë askujt llogari.

Si mund të flasin për integrime europiane politikanët që drejtojnë shtete ku ka shkallë të lartë korrupsioni, ku ka sistem gjyqësor skajshmërisht të korruptuar e të politizuar, ku ka probleme në çdo sferë shoqërore?
Në vendet e BE-së nuk ka vend për politikanë që bëjnë marrëzira dhe keqpërdorime në emër të popullit, të patriotizmit dhe së fundmi në emër të integrimeve europiane.

Nëse i pyesni politikanët se çfarë është Europa dhe cilët janë themelet e qytetërimit europian, nuk do të merrni përgjigje. Politikanët, të cilët nuk i respektojnë ligjet që i miratojnë, do t’i përsëritin parullat e mësuara përmendsh: se për të qenë pjesë e BE-së duhet të ketë shtet të së drejtës, respektim të të drejtave të njeriut, lirisë së mendimit dhe shprehjes… Asgjë më shumë se kaq. Ata nuk do të flasin për qytetërimin greko-romak, si shtyllë e këtij qytetërimi. As për ngushëllimin. As për agoranë, me të cilën filloi dialogu e demokracia. As për superioritetin e arsyes. As për vlerën e pakufishme të njeriut. Për ata këto janë filozofira. Rajoni ka politikanë që nuk e durojnë shumëllojshmërinë, dialogun, debatin, kritikën edhe pse pretendojnë se janë politikanë me orientim europian.

Sot për integrimet europiane flet edhe Branko Cërvenkovski, i cili, sa herë shfaqet në publik, përhap defetizëm. Për gjendjen defetiste, që mbizotëron në vend, ai ka dhënë kontribut të madh. Dhe vazhdon të kontribuojë edhe pse nuk është i përfshirë drejtpërdrejtë në politikë.

Ai tha se nuk pret që Maqedonia të jetë anëtare e Bashkimit Europian (BE) brenda shtatë vjetëve, sepse BE-ja nuk paska plan të qartë se çfarë do të bëjë me veten dhe jo me rajonin. Pastaj kërkoi fonde dhe tregje të hapura europiane për shtetet e Ballkanit. “Harroi” se për të marrë fonde europiane dhe për të qenë pjesë e tregjeve europiane duhet të bësh diçka.

Këtu ndodh që politikanët e pensionuar, që nuk kanë bërë asgjë për afrimin e vendit me BE-në, madje derisa kishin pushtet rrënuan çdo vlerë të BE-së, duke dhënë urdhra edhe për dhunimin e qytetarëve të pafajshëm, ta këshillojnë BE-në si të veprojë.

Politikanët e kësaj gjenerate, që “i privatizuan” fabrikat “shtetërore” (më saktë mundësuan vjedhjen klasike të pronës publike), thellë në vetvete, kanë qenë dhe janë antieuropianë. Brezi i ri mbase nuk e di këtë, por ne i kemi do vjet dhe fatmirësisht nuk na ka lënë kujtesa.

Analiza shkruar nga Salajdin Saliu është enkas për Presklub.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *