Ndihmë juridike falas për banorët në Shuto Orizari

Lajme Maqedoni

Ministria e Drejtësisë hapi një zyrë për ndihmë juridike falas. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe Kryetari i Komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi.

“Është obligim i yni që të gjithë qytetarëve t’u ofrojmë mekanizma të duhur të pavarur dhe të paanshëm gjyqësor. Me këtë qytetarëve që janë në gjendje të vështirë financiare do t’u mundësohet të marrin ndihmë juridike nga avokati dhe gjykim të drejtë. Në këtë mënyrë tregojmë se ne kujdesemi për kategoritë e pambrojtura të qytetarëve”, tha Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Ministri Lloga informoi se në vitin 2022 janë parashtruar 291 kërkesa për ndihmë juridike dytësore, prej të cilave janë miratuar 231. Shërbime të ndihmës juridike parësore kanë marrë 3330 qytetarë. Kërkesat më të shumta për ndihmë juridike falas janë në fushën e së drejtës familjare, si rastet e divorcit, kujdestaria për fëmijët, procedurat e trashëgimisë, kontestet pronësore, mosmarrëveshje të punës, marrëdhëniet borxh-besues për çështje të sigurimit pensional dhe invalidor, për përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje, për mosmarrëveshjet me kompanitë e sigurimit.

Në hapjen e zyrës për ndihmë juridike falas morën pjesë përfaqësues nga UNHCR dhe Zyra e Këshillit të Evropës. Përfaqësuesja e UNHCR-së, Monica Sandri, përshëndeti miratimin e Ligjit për Regjistrimin Civil, i cili do të ofrojë qasje për 700 qytetarë që bënë beteja dekadëshe me sistemin për të marrë identitetin ligjor, qasje në të drejtat themelore dhe një jetë dinjitoze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *