Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE-në dhe ShBA-në do të tejkalohen. Në një takim me korrespondentë politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se “është koha të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme”.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”.
Por presidentja e Kosovës, në përgjigje të pyetjes së Dojçe Veles thotë se edhe dialogu duhet të jetë më i balancuar. Ajo u shpreh kritike ndaj vendeve aleate që nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të bëra nga Serbia
“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 Marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut.”
Sa për procesin e liberalizimit të vizave, ajo tha se nuk beson se ai do të ndalet, sikurse ishte aluduar, pasi janë dhënë garancitë nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë.
“Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës ishte një nga shkeljet e fundit të Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjes ushtarako-teknike 1999”, kujtoi presidentja e Kosovës.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një nga kërkesat kyçe të partnerëve ndërkombëtarë në dialog, ajo tha se “jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, por duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska”.
Osmani tha se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri.
“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”.
Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo tha se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR dhe EULEX, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo theksoi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve.