Maqedonia e Veriut dhe SHBA nënshkruajnë plan dhjetëvjeçar për zhvillimin e ushtrisë dhe mbrojtjes

Lajme Maqedoni

Ministrja e Mbrojtjes e RMV-së Slavjanka Petrovska dhe sekretari amerikan i mbrojtjes Loid Austin nënshkruan plan bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes për dhjetë vitet e ardhshme.Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, udhërrëfyesi i ri që u nënshkrua, përcakton fushat në bashkëpunimin në mes RMV-së dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes që do të jenë prioritete në dekadën e ardhshme dhe përmes të cilave do të zhvillohet mbrojtja dhe ushtria.

“Sot, Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-s dhe ne, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojmë krah për krah në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara na dhanë një mbështetje të madhe që nuk ishte vetëm financiare. Kemi shkëmbyer njohuri dhe përvojë, kemi praktikuar dhe trajnuar së bashku dhe jemi krenarë që kontribuojmë në sigurinë e NATO-s dhe të rajonit”, tha në takim ministrja Petrovska.Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes theksoi se RMV është një mik i vjetër dhe i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara me të cilin ndajnë të njëjtat interesa dhe vlera.

Petrovska dhe Austin dënuan agresionin rus kundër Ukrainës, ndërsa Austin falënderoi Maqedoninë e Veriut për angazhimin e saj ndaj popullit ukrainas, për forcimin e krahut lindor të Aleancës përmes pjesëmarrjes në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, si dhe sa i përket sigurisë së rajonit, përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *